"Isa digjet, Hashimi krihet"
Vështrime

"Isa digjet, Hashimi krihet"

23.Jan.2015 13:10
0
Isa Mustafa ka disa javë që është zgjedhur kryeministër i Republikës së Kosovës, ndonëse po vazhdon të sillet sikur të ishte kryetar i Prishtinës, duke mos i kuptuar mirë kompetencat dhe përgjegjësitë e tij në krye të Qeverisë së vendit.

Shkruan: Lavdim Hamidi

Kryeministri nuk kishte arsye të priste derisa mijëra qytetarë të dalin në protesta e të trazohet e gjithë Kosova e mos ta detyronte ministrin nga Lista “Srpska”, Aleksandër Jabllanoviq, t’i kërkonte menjëherë falje nënave gjakovare, të cilat i quajti egërsira.

Po të ndodhte menjëherë kërkimfalja, refleksioni i qytetarëve me gjasë nuk do të ishte i këtij niveli e ndoshta edhe populli nuk do të çohej në këmbë gjithandej vendit, duke rrezikuar destabilitetin e vendit.

***

Shqiptarët historikisht njihen si popull që falin, mirëpo ata vështirë se mund ta kapërdijnë një fyerje të rëndë për një pjesë kaq të ndjeshme të kombit, e Jabllanoviq të sillet me cinizëm kinse nuk ka informata për krimet e Serbisë në Kosovë.

Duke e parë se Mustafa i kishte futur “veshët në lesh” dhe nuk e kishte detyruar të kërkojë falje, Jabllanoviqi filloi të trimërohej dhe t’i dukej vetja se pikërisht ai është “Mbreti i Kosovës”.

Ai, madje, mori guximin që bashkë me disa ministra nga Lista “Srpska” të shkojë në Beograd, nga ku çoi “selam” se gjiganti metalurgjik “Trepça” i takon Serbisë e jo Kosovës, ndonëse nga kjo e fundit i shfrytëzon privilegjet e të qenit ministër dhe njëkohësisht punon kundër interesave të saj.

Në kushte normale, ashtu siç do të vepronte çdo kryeministër tjetër i globit, posa t’i shihte ministrat e tij teksa flisnin për një çështje të brendshme të vendit nga një shtet tjetër, Isa Mustafa do të duhej t’i shkarkonte të gjithë ata me arsyetimin se kanë bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Me një veprim të tillë Mustafa do të tregonte se Kosova e ka një kryeministër e jo tre, ashtu siç po thuhet vazhdimisht nga opozita, duke u aluduar në pushtetin e madh politik që e kanë në vend Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.
Ky i fundit ditë më parë u mburr se me ndihmën e ndërkombëtarëve ia pamundësoi Isa Mustafës ta shndërrojë “Trepçën” në kompani publike, e cila deklaratë nxiti qindra minatorë të hyjnë në grevë, ndërsa disa ditë me vonë greva vetëm se u pezullua.

***

Në kohën kur pakënaqësitë me deklaratat e Jabllanoviqit dhe dështimin që “Trepça” të shndërrohet në kompani publike kanë arritur kulmin, Hashim Thaçi vazhdon të sillet sikur të mos ishte zëvendëskryeministër i parë e as ministër i Jashtëm i Kosovës, pasi që aktualisht është i përqendruar tek vizitat zyrtare në Podgoricë e Shkup, identik me thënien e moçme: “Stambolli digjet, kurva krihet”.

Në fakt, Lista “Srpska” e Jabllanoviqi janë produkt i negociatave të Thaçit me Serbinë, por kanë mbetur si “patate e nxehtë” në duar të Isa Mustafës.
Edhe çështja e “Trepçës” ka mundur të zgjidhet gjatë dy mandateve sa Thaçi ka qenë kryeministër, mirëpo si duket qëllimisht është neglizhuar deri më tani.  

Padyshim se Thaçi ka arritur të qëndrojë në pushtet deri më tani, duke u dëshmuar para ndërkombëtarëve se vetëm partia, që e udhëheq ai, është faktor stabiliteti në vend, të cilën gjë po dështon ta bëjë pasardhësi i tij, Isa Mustafa, me LDK-në në krye të Qeverisë, pasi që qysh në fillim të këtij mandati qeveritar protestat dhe grevat në vend nuk kanë të ndalur.

Një marsh i madh protestues për Jabllanoviqin dhe “Trepçën”, i cili do të përkrahet edhe nga partitë opozitare, do të mbahet nesër.
Pas këtij marshi me siguri të gjitha institucionet ndërkombëtare në vend do të mundë të alarmohen për mundësinë e eskalimit të situatës dhe pas këtij “alarmi”, atëherë do të involvohen Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët deri më tani janë sjellë, në raport me zhvillimet e fundit në Kosovë, sikur të ishin zyrtarët më të lartë të një shteti fqinj.

Dy zyrtarët e lartë të Kosovës dhe të PDK-së me siguri se fillimisht do të “aterrojnë” në Mitrovicë, atje ku është edhe bastioni i SHIK-ut, ku do ta bëjnë të pamundurën që t’i bindin minatorët për mos t’iu rikthyer grevës, me premtimin se “Trepça” është dhe do të  mbetet pasuri e Kosovës.

Pas kësaj, do ta ofrojnë edhe një zgjidhje në tavolinë për Jabllanoviqin dhe nëse arrijnë t’i amortizojnë të gjitha këto pakënaqësi, duke u dëshmuar para ndërkombëtarëve se vazhdojnë të mbesin faktorë stabiliteti në vend, s’i kundërshpërblim do të mundohen që në një të ardhme të afërt njëri ta sigurojë postin e presidentit e tjetri të kryeministrit, dy pozitat më të larta shtetërore që asnjë subjekt tjetër politik nuk i ka pasur që nga paslufta.

 

Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin mendimin e Portalit Informativ-TITULLI

copy(/home/titulli/public_html/images/image/hashim-thaci-dhe-isa-mustafa.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Akad. Hivzi Islami: Migrimet e jashtme dhe "migrimet ilegale" kanë shpjegime dhe zgjidhje
Protesta si formë e shprehjes së pakënaqësisë...!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration